Prof. Dr. Rexhep Gjergji
Prof. Dr. Zejnullah Rrahmani
E kemi thënë edhe më parë se subjektet politike serioze që kanë vendosë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 nëntor 2009 kishin filluar përgatitje kaherë, si në aspektin organizativ partiak ashtu edhe në atë të ofertës me kandidatë dhe programe për trupin zgjedhor. Dukej se LDK ishte një përjashtim: LDK nuk ka përgatitur një platformë dhe një program të mirëfilltë zgjedhor dhe kandidatët e saj shprehin vetëm qëndrime individuale. Tashmë, kur ka kaluar më tepër se gjysma e fushatës zgjedhore, po shihet se përgatitjet e mëhershme të shumicës së partive po reflektojnë seriozitetin e ofertës dhe sigurinë e qetësinë me të cilën subjektet politike dhe kandidatët e tyre paraqesin ofertën. Që para fillimit të fushatës dukej se për disa parti këto zgjedhje do të kenë më shumë se peshën e zgjedhjeve lokale.
Për LDK këto zgjedhje paraqesin provën e mbijetesës së krizës së thellë organizative dhe të identitetit që e ka kapluar që prej vdekjes së ish kryetarit të saj Dr. Ibrahim Rugova; për PDK këto zgjedhje paraqesin rastin që kjo forcë politike ta dominojë përfundimisht gjithë jetën politike dhe institucionale në Kosovë, e me këtë edhe kontrollin absolut të resurseve, nëse nuk merr dënimin nga elektorati për qeverisjen katastrofale që po e dhunon Kosovën. Kjo qeveri po e lë Kosovën me kufi të tkurrur dhe me territor shumë më të vogël se që e ka gjetur. Në të njëjtën kohë e ka privuar nga zhvillimi ekonomik, njohjet dhe integrimet evropiane. Shoqëria kosovare tashmë është shoqëri ku shihet qartë mjerimi social i qytetarit dhe sidomos mjerimi moral i qeveritarëve. Për AAK si partia e tretë dhe më ambicioze, do të jetë prova nëse përpjekjet e forta opozitare të Haradinajt do të shpaguhen me rritje të mirëfilltë të elektoratit dhe të krijimit të forcës reale politike që detyron ndryshime në vend. Koalicioni ri AKR-LDD do të provojë nëse këto subjekte vërtet janë forca respektabile politike, me shtrirje dhe ndikim edhe në jetën e qytetarit përmes pushtetit lokal, apo numri i gishtave të tyre në parlamentin e Kosovës, i fituar në zgjedhjet e kaluara, ishte aksidental, si dhe fakti kush e ka prodhuar këtë koalicion. Sido që të jetë, rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk do të jetë pa refleksione në proceset politike në Kosovë pas zgjedhjeve. Rezultatet tyre do të jenë me ndikim edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale të cilat, sikur shihet, mund të mbahen vitin e ardhshëm.
çka solli fushata zgjedhore deri tash dhe cila është oferta e partive politike për elektoratin? Cila ishte shkalla e demokracisë së manifestuar gjatë kësaj fushate nga subjektet zgjedhorë? çfarë po shohim deri tash nga LDK në këtë fushatë zgjedhore? Këto janë disa nga pyetjet esenciale që këto zgjedhje tashmë kanë shtruar.
Deri tash po shohim një LDK që përpiqet të duket aktive. Në këtë përpjekje LDK ka angazhuar disa nga kapacitetet e saja të brendshme, që u përkasin strukturave të saja udhëheqëse. Por, shumë nga ata janë përgjegjës pse LDK është kjo e tashmja. Disa nga ata nuk kanë qenë asnjëherë funksionarë të mirëfilltë të LDK dhe po e kanë vështirë të vejnë komunikim korrekt me votuesin. Disa nga ata kësaj fushate po japin vulën e krahinarizmave. Në të gjitha paraqitjet kemi parë një LDK me shenja të theksuara nervoziteti dhe me një fjalor agresiv, që nuk dihet nëse shprehë frikë nga rezultati i zgjedhjeve apo është rezultat i vetëbesimit dhe megalomanisë? Po shohim dhe dëgjojmë akuza ndaj pushteteve qendrore dhe lokale drejtuar partnerit të koalicionit dhe kërcënime deri në rrokje armësh (aq qesharake për situatën e Kosovës, por që mund të prodhojë ndonjë incident naivësh në fshatra të humbura) në rast të vjedhjes së votës së lirë! Këtë votë të lirë mund t’ua vjedh ose rrëmbejë vetëm partneri i tyre i koalicionit! Në të njëjtën kohë që adresë e kërcënimeve dhe krekosjeve boshe të këtyre aktivistëve të LDK-së është partneri PDK, që edhe ua ka siguruar karriget e pushtetit që nga kryetari i “ngrirë” i saj e tutje nëpër ministri, gjithë asaj që është sot strukturë udhëheqëse e LDK-së! Të gjithë këta tash përpiqen, dëshpërueshëm, të luajnë rolin e opozitës e viktimës dhe t’ia heqin nga dora opozitës reale të këtyre dy viteve, argumentin nga dora.
Në të njëjtën kohë vazhdojnë deri në absurd të luajnë kartën e rugovizmit, edhe me çmim të shfrytëzimit të familjarëve të ish Kryetarit të ndjerë, për kundër deklarimit të tyre publik se nuk do ta shpërdorojnë figurën e tij në këto zgjedhje. Nga ana tjetër, deri më sot nuk kemi dëgjuar aspak çka i ofrojnë cilësdo komunë në rast se kandidati i tyre fiton.
Sa i përket ofertës dhe kualitetit të kandidatëve për kryetarët e komunave po ndodhë ajo që është pritur: në Prishtinë është ofruar kryetari aktual, njeri i shpenzuar për më tepër se tri dekada në qytetin e Prishtinës dhe Kosovës, tash dhe në sistemin e kaluar, që përndryshe njihet si njeri i Fatmir Sejdiut. Kryetari i Prishtinës ka munguar pothuajse dy vjet të qeverisjes së tij nga Prishtina dhe tash mungesën e rezultateve me vështirësi pranon ta vë në debat me rivalët, por nga gjoja, pozita e të madhit, garën për zgjedhje lokale e ngre në nivel të konfliktit (artificial) me Qeverinë, partnerin e koalicionit. Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës tash lë përshtypjen në opinion se këtë fushatë për zgjedhje lokale e ka garë edhe për vendin e zbrazët të liderit të LDK-së?!
Funksionarë të ndryshëm të LDK-së, madje edhe të nivelit qendror, nëpër teren e thonë haptas që këtë pozitë nënshtruese ndaj PDK-së ua ka imponuar Fatmir Sejdiu. Kjo del edhe prej kontekstit të asaj çka po flet Mustafa në tubimet e veta. Në fakt, para syve të të gjithëve po thuret aleanca e grupeve të Kryesisë së LDK; grupi Gorenjës, dhe i disa përkrahësve të deridjeshëm të Sejdiut në atë Kryesi, me Isa Mustafën dhe pjesë nga qeveria e ekzilit, si mundësi që në hapin tjetër, pas zgjedhjeve lokale, kur shpejt po afrohen zgjedhjet e përgjithshme, ta “pushtojnë” vetë piramidën e pushtetit në LDK. Në këtë mënyrë, karrigia e Sejdiut po lëkundet për herë të parë shumë seriozisht nga vetë njeriu i tij.
Me sulmet ndaj partnerit të koalicionit, në këtë garë zgjedhore LDK po përpiqet të shpëlajë turpin para elektoratit të vetë për pozitën nënshtruese ndaj PDK-së, dhe sidomos kryeministrit, po përpiqet të prekë krenarinë e militantëve të LDK, që abstenuan në zgjedhjet e kaluara të pakënaqur në gjendjen në LDK dhe udhëheqjen e saj, që shprehën mllefin e tyre me gjithë çka bëri dhe nuk bëri (ndarja e reformimi etj.!) LDK pas humbjes katastrofale të zgjedhjeve në vitin 2007, periudhë kjo që e karakterizon LDK si parti të pa profil dhe parti larg çdo norme demokratike të organizimit e të veprimit partiak. Për çfarë profili të demokracisë parlamentare angazhohet udhëheqja e LDK-së, shihet edhe nga fakti se këto ditë opinioni i Kosovës ka qenë i shokuar me deklarimin e një anëtari nga kryesia e saj dhe (deputet i Kuvendit të Kosovës) se nuk do të japin imunitetin e një kolegu të tyre të akuzuar për korrupsion “edhe me kusht që të rrëzohet Kuvendi”? A flet kjo se të gjithë ata kanë rënë në të njëjtin batak të korrupsionit dhe të krimit të organizuar dhe se tash përpiqen të mbrohen brenda sistemit të tyre mafioz? LDK ka lansuar, natyrisht edhe opsionin rezervë që thotë se pavarësisht konflikteve e rezultateve në nivelin lokal, në nivelin qendror koalicioni nuk do të cenohet e prishet!? Partneri i madh po e sabotuaka dhe po e luftuaka, po ia pamundësuaka LDK-së punën e suksesshme ne të dy nivelet (!) por kjo nuk qenka arsye aspak e mjaftueshme që të prishet ky koalicion qeverisës!
Nëse vërtetë është kështu, në emër të cilit interes të Kosovës vazhdohet koalicioni PDK – LDK, i cili në Kosovë po prodhuaka vetëm shantazh, bllokada, korrupsion, krim të organizuar, ngulfatje të mediave, kontroll të drejtësisë, terrorizim të bizneseve, SHIK-a etj, si dëgjuam këtyre ditëve në media dhe debate televizive të kandidatëve të LDK-së, sidomos në diskursin befasisht të egër të Isa Mustafës!? Cili është morali politik e publik dhe përgjegjësia e udhëheqësve të tillë të LDK!?
Kandidati i LDK-së për Prishtinën, Isa Mustafa, kritikat e tij i drejton vetëm në adresë të Qeverisë për të treguar se e keqja vjen nga lart, pa e pranuar që për dy vjet nuk e ka kthye as kokën kah Kryeqyteti, Prishtina, njeriu i parë i të cilit ka qenë këtë kohë. LDK-ja e tij po e simulon forcën, se pushteti i fortë e diktatorial i Kryeministrit mund të kundërshtohet nga i forti i Prishtinës dhe indirekt se këtu e tutje, Thaçi nuk ka oponencë tek Fatmir Sejdiu po ky është Isa Mustafa. Kështu Isa Mustafa po thotë që Fatmir Sejdiu tashmë është e kaluara e LDK-së!
Loja e tillë e ultë me emocionet e votuesve LDK-së mund t’i kushtojë me rënje të mëtejshme të votuesve të saj dhe me përçarje të reja pothuajse të paevitueshme brenda saj. Krijimi i pritjeve të mëdha me fjalor dhe sjellje megalomane mund të sjell zhgënjim të serishëm dhe ulje të dinjitetit të LDK-së në shkallë që deri më sot nuk është parë.
Në komunat tjera, oferta për kryetarë komunash është bërë me kandidatë të shpenzuar, një numër i të cilëve janë të kompromentuar në afera korrupsioni, me hetime të filluara për krime ekonomike, të asaj periudhës së qeverisjes katastrofale që kanë ushtruar disa ministra të atëhershëm të LDK-së e që sot janë në Kryesi të saj; disa tashmë të bëra publike dhe të tjera që akoma mbahen të fshehura si rezultat i trysnisë politike mbi drejtësinë.
Nëse vërtetë kjo parti po kërkon ringjalljen dhe pretendon të përballet realisht me PDK-në, duhet që menjëherë pas këtyre zgjedhjeve të dalë nga koalicioni. Fare të mos frikësohen se po rrezikojnë stabilitetin e vendit. Ai stabilitet nuk ka qenë aspak i rrezikuar qysh prej ditës që është shpallur pavarësia dhe ka hy në fuqi Kushtetuta e vendit. Qeveria dhe presidenti në fakt është dashur që në afatin prej gjashtë muajsh pas shpalljes së tyre të fitojnë me votë dhe në zgjedhje të reja legjitimitetin e tyre që prej atëherë është i cunguar dhe krejtësisht i dyshimtë.
Ndërkaq, PDK e ka komoditetin e nevojshëm të shohë e qetë lëvizjet e aleatit të tij të dobët, por me kërkesa të mëdha. Se PDK ka siguruar partnerët e rinj, tashmë duket fare e sigurt. Për më tepër që Hashim Thaçi kërkon ta fitojë me çdo kusht sfidën e vështirë të Prishtinës dhe ta shtrijë kontrollin e tij edhe në ato komuna që nuk i fitoi në 2007.
A mundet që kjo përballje lokale ta rrezikojë koalicionin qeveritar, edhe nëse këtë nuk e sjellë konflikti verbal i deritashëm në fushatë? A mjafton një tensionim elektoral ta minojë një aleancë dyvjeçare? Në një situatë tjetër ndoshta jo, por aktualisht në Kosovë do të ketë ndikim, sepse këto zgjedhje u paraprijnë zgjedhjeve nacionale, edhe i afrojnë ato. Tensionimi i fushatës, akuzat e përditshme, rivaliteti historik, inatet personale, dhe shumë elementë të tjerë, pa dyshim do ti ngarkojnë së tepërmi marrëdhëniet e stisura PDK-LDK. Do të mjaftojë një shkëndijë apo një deklaratë e dalë jashtë kontrollit, sikur ajo e Lutës për armët (sado që Luta disa minuta ma vonë do ta ketë telefonuar kryeministrin për t’u shfajësuar?!), për të ndezur incidente elektorale mes dy partive. Po t’u shtohen këtyre edhe akuzat për vjedhje votash që po vinë nga shtabi i LDK-së, klima e mosbesimit do ta gërryejë bashkëpunimin. Koalicioni do të prishet apo LDK do të nënshtrohet e ndoshta edhe do të shkrihet përfundimisht.
Çdo rezultat i këtyre zgjedhjeve do ta vë në pikëpyetje të ardhmen e përbashkët politike të tyre. Një rritje eventuale e LDK-së do ta bëjë atë të kërkojë hise më të madhe në qeveri, por edhe rënja e pritshme e saj do të ketë pasoja destabilizuese për qeverinë. Sido që të ndodhë, Fatmir Sejdiu do të vazhdojë ta humbasë përkrahjen në parti, që kërcënon me ndarje të re të LDK-së, ose LDK, në rast rënje të mëtejshme, do të vijë duke u shuar dhe Sejdiu do të mbetet eutanazisti i saj.